“Gjë e gjallë të mban gjallë”

E hënë, February 20, 2017

“Gjë e gjallë të mban gjallë, më thoshte gjyshi dikur. Kam qenë jo më shumë se 7 vjeç atëherë, sot jam 42. Nuk më shkonte ndërmend se vërtetë do të vinte një ditë kur kjo shprehje do ishte e lidhur kaq ngushtë me mua, familjen e ushqimin tonë të përditshëm.

Jetoja prej kohësh në Greqi. Atje gjatë verës merresha me bujqësi, vilja duhan, kurse dimrit isha çoban. Për shkak të disa rrethanave familjare u ktheva në Shqipëri. Kur u ktheva në fillim bleva disa lopë, por ato ngordhën.

Por prapë nuk u dorëzova o bijë se fëmijët duhet të shkonin në shkollë, nënën e kam në shtëpi të sëmurë. Duke punuar si argat ishte shumë e vështirë. Vendosa të bëhesha pjesë e trajnimeve të World Vison për menaxhimin e biznesit. Mora një kredi dhe i investova në shtimin e blegtorisë. Fillimisht bleva 4 lopë, por njëra më ngrodhi e kam mbetur me 3, por jam shumë i kënaqur. Kryesisht merrem vetë me lopët e tokën, por më ndihmon edhe gruaja kur ka mabruar punët e shtëpisë, edhe fëmijët kur kanë mbaruar mësimet.

WV më dha një aparat mjeljeje. Më kanë lehtësuar shumë se është njëlloj sikur të më kenë sjellë një punëtor që nuk kërkon rrogë :)

Kam gjetur edhe një baxho që iu shes me 40 lekë kilen e qumështit. Nxjerr afërsisht 60 litra qumësht në ditë. Mbaj edhe përvete nga pak. Kurse miqtë e dashamirët më porosisin ndonjëherë djath, gjalpë gjizë e mundohem t’i kënaq. Nuk bëj hile asnjëherë.

Këtë vit bujqësor kam marrë me qera rreth 2 ha tokë e i kam kultivuar. Vetëm me punë të ndershme i kam rritur të ardhurat vjetore nga 100000 lekë në 310.000 lekë në vit.

Do iu jap zemër e do ndihmoj edhe njerëz të tjerë sa herë të jetë nevoja se të gjithë e duan një shpatull ku të mbështeten.” – tregon Tahir Kane nga fshati Drithas i Korçës.