Librazhd: Lulëzojnë bizneset e vogla familjare

E martë, April 25, 2017

Sokoli, është babai i 3 fëmijëve, Emiljanit, Eglit dhe Amelios 2- vjeçar. Ai është shtylla e shtëpisë. E shoqja nuk punon sepse në fshat nuk i jepet asnjë mundësi. Vetë merret me bujqësi si dhe punon si punëtor ndërtimi në fshatin e tij, në Vehcan të Librazhdit dhe fshatrat përrreth. Të ardhurat që siguron janë të pakta. “Na dalin vetëm për ushqim dhe pak rroba. Fëmijët i kam të 3 në shkollë dhe kanë shumë shpenzime. Punoj disa ditë në muaj. Ku mbahet shtëpia me kaq pak?! – thotë 32- vjeçari.

Për shumë vite, ai dhe bashkëfshatarët e tij kanë mbjellë vetëm grurë dhe misër për të siguruar bukën. “Kështu kanë bërë prindërit tanë dhe kështu vazhduam edhe ne, ndonëse kemi pasur shumë vështirësi. Këto kërkonin shumë kujdes dhe kishim shumë shpenzime për plehrat kimikë. Na mbetej shumë pak fitim ose aspak”, - tregon me keqardhje Sokoli.

Pak muaj më parë, ai mori pjesë në një trajnim të mundësuar nga World Vision. Bashkë me fshatarët të tjerë ata mësuan se si të zhvillojnë kultura të tjera të përshtatshme për tokën dhe klimën e tyre, si një mundësi për të rritur të ardhurat e tyre. Sipas studimeve të Këshillit të Biznesit në zonë, kultivimi i lajthisë është shumë i favorshëm dhe fitimprurës për shkak të kushteve klimaterike dhe lartësisë mbi nivelin e detit. Kështu, World Vision, mbështeti Sokolin me fidanë. “Kam përfituar 300 rrënjë fidanë dhe kam mbjellë 3,5 dynym sipërfaqe tokë. Pas dy viteve do të nxjerr në treg kilogramët e parë. Do të filloj me 5 kg për rrënjë, pra 1,500 kg, pastaj vitin e pestë do të marr 25 kg për rrënjë, pra 7,500”– tregon me entuziasëm Sokoli.

 (Toka e mbjellë me lajthi.)

Si ai, kanë përfituar edhe 22 familje të tjera me rreth 230 fidanë secila.

“Ne shpresojmë që shumë shpejt banorët të nxjerrin në treg produktet e tyre dhe të krijojnë bizneset e tyre të vogla familjare- thotë Shpëtim Cura, punonjës i World Vision.