Lola, një "ambasadore" e mbrojtjes së fëmijëve

E enjte, December 22, 2016

Të qenit në zemër të Europës në shekullin e 21-të, të bën të ndihesh keq të flasësh ende për dhunën ndaj fëmijëve. Fatkeqësisht dhuna është ende këtu, duke ulëritur në familje, shkolla dhe më pas përhapet në të gjithë familjen shqiptare. Raporti i fundit i mirëqënies së fëmijëve të World Vision tregoi se 70% e fëmijëve pranojnë se kanë përjetuar dhunë.

Gjithashtu, sipas një studimi të UNICEF, 30,7 % e fëmijëve raportojnë se kanë përjetuar dhunë në shkollë. “Mbaj mend disa vite më pare, kur djali im i madh filloi shkollën, mësuesja e kishte rrahur deri sa ai pati gjakderdhje sepse nuk ishte i mirë me mësime aq sa duhet”. Unë ndjeva pikëllim në zemër, por nga ana tjetër nuk u ankova për këtë…në fakt e vlerësova mësuesen që e fajësoi djalin tim”, thotë Lola, pothuajse duke qarë.

Lola, nga fshati Kuqan i Elbasanit bën pjesë në një nga 24 grupet e mbrojtjes së fëmijëve që World Vision ka krijuar dhe ku marrin pjesë 600 fëmijë. Ajo është përfshirë në to 2 vitet e fundit dhe është trajnuar në prindërim pozitiv, të drejtat e fëmijëve, mbrojtjen e fëmijëve si dhe rolet dhe përgjegjësitë në familje. Ajo na tregon sesi këto trajnime kanë ndryshuar jetën e saj dhe mënyrën sesi ajo sillet më fëmijët e saj tani. “Përveçse kam heshtur për dhunën në shkollë, ndonjëherë i kam qëlluar fëmijët e mi. Ndjehem shumë keq dhe jam penduar, por nuk është kurrë vonë për të ndryshuar,” shton ajo. 

Njohuria dhe praktikat më të mira që ajo ka mësuar në grupin e mbrojtjes së fëmijëve janë të dukshme në mënyrën sesi ajo sillet me dy djemtë e saj, Leo 11 vjeç dhe Konstandini 8 vjeç. Dashuria, përkujdesi dhe koha që ajo shpenzon me ta tregon shumë më tepër sesa fjalët. Pavarësisht mentalitetit në fshatin e saj, ku dhuna është pjesë e disiplinës, ajo ngre zërin jo vetëm për fëmijët e saj por gjithashtu për fëmijët në nevojë të komunitetit. “Si grup ne e dimë se dhuna është ende një praktikë në shkolla, kështu që ne vendosëm ta adresojmë këtë me mësuesit dhe drejtorët e shkollave. Unë nuk do të pushoj së ngrituri zërin për të drejtat e fëmijëve sepse ne nuk jemi pronarët e tyre por kujdestarët dhe mbrojtësit”, - thotë Lola.

Ajo shkon derë më derë në fshat dhe flet për të drejtat e fëmijëve dhe modelet e prindërimit pozitiv. Ajo shpesh fton femra të tjera në lagjen e saj për një kafe, për të diskutuar për praktikat e prindërimit pozitiv dhe probleme të tjera që prekin fëmijët. “Nuk është e thjeshtë të ndryshosh gjërat në komunitetin tonë pasi këto tema janë ende tabu por nëse ndryshimi ka ndodhur së brendshmi siç ka ndodhur me mua, ti e reflekton atë së jashtmi dhe nuk mund të pushosh së foluri e vepruari në emër të fëmijëve", thotë ajo.